Suhareka përkujton Ukë Bytyçin në një akademi solemne përkujtimore

Sot në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi” në Suharekë u mbajt një akademi përkujtimore me rastin e 23-vjetorit të vrasjes së ish-kryetarit të Komunës së Suharekës, Ukë Bytyçi.

Akademia u zhvillua nën patronatin e kryetarit të Komunës, Bali Muharremaj, i cili në fjalën e tij përkujtimore ngriti lart figurën dhe veprën e Ukë Bytyçit, duke theksuar se ai ishte shembull i një udhëheqësi të mirë, luftëtari të guximshëm dhe patrioti të vërtetë.

“Kontributi i Ukë Bytyçit në luftë dhe në paqe do të mbetet gjithmonë frymëzim për brezat që vijnë. Ai na tregoi se si duhet të duash atdheun dhe si duhet ta nderosh vendin tënd,” tha ndër të tjera kryetari Muharremaj.

Në këtë akademi mori pjesë edhe familja e Ukë Bytyçit, bashkëpunëtorë të tij, qytetarë dhe bashkëpartiakë që ndanë kujtimet e tyre për të.
Në emër të familjes, foli Flamur Ukë Bytyçi, i cili falënderoi të gjithë ata që çdo vit kujtojnë dhe nderojnë figurën e babait të tij.

“Ju faleminderit për kujtimin e vazhdueshëm. Është nder i madh për ne që Suhareka nuk harron kurrë figurën e Ukë Bytyçit,” u shpreh ai.

Kujtimi për Ukë Bytyçin mbetet simbol i qëndrueshmërisë, përkushtimit dhe dashurisë ndaj vendit, ndërsa Suhareka edhe këtë vit e nderoi me respekt dhe mirënjohje birin e saj që dha gjithçka për të mirën e qytetit dhe të atdheut.