Pas afro tetë vitesh në pozitën e drejtorit rajonal të Policisë në Gjakovë, kolonel Lumni Graishta është emëruar këshilltar i drejtorit rajonal në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Ferizaj.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Graishta përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka falënderuar kolegët për bashkëpunimin, profesionalizmin dhe të arriturat e përbashkëta gjatë viteve të shërbimit në Gjakovë.
Në reagimin e tij, Graishta ka theksuar se lëvizjet dhe rotacionet e personelit janë procese të vazhdueshme në Policinë e Kosovës, duke i vlerësuar ndryshimet në strukturat organizative dhe menaxheriale si të nevojshme për funksionimin sa më të mirë të institucionit.
Ai ka dhënë edhe arsyetimin për rëndësinë e rotacionit të kuadrove drejtuese, duke theksuar se qëndrimi për shtatë apo tetë vjet në të njëjtin pozicion mund të krijojë një nivel të lartë familjarizimi me personelin dhe ambientin e punës, gjë që mund të ndikojë edhe në procesin e vendimmarrjes.
“Risistemimi ose eventualisht një rotacion i tillë duhet t’i shërbejë operacionalitetit dhe funksionalitetit më të mirë të organizatës”, ka shkruar Graishta.
Ai ka shtuar se gjatë këtyre proceseve duhet të merren parasysh performanca, gatishmëria, aftësitë dhe shkathtësitë profesionale të punonjësve.














Lini një Përgjigje