Suharekë: Ndërron jetë personi i plagosur nga të shtënat me armë zjarri, arrestohet i dyshuari 60-vjeçar

Personi që mbeti i plagosur rëndë nga të shtënat me armë zjarri që ndodhën mesditën e sotme në Suharekë ka ndërruar jetë, ndërsa Policia e Kosovës ka arrestuar një 60-vjeçar të dyshuar për këtë rast.

Vdekjen e viktimës e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Sipas informacioneve të publikuara nga Gazeta Sinjali, viktima fillimisht ishte dërguar me urgjencë në Emergjencë, në gjendje të rëndë shëndetësore dhe me shenja jete, por më pas ka ndërruar jetë.

Ndërkohë, sipas dyshimeve të para të Policisë, ngjarja mund të ketë ndodhur pas një konflikti lidhur me një parking, ku i dyshuari dyshohet se ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të viktimës.

Lidhur me këtë rast, është arrestuar një 60-vjeçar, i cili dyshohet për kryerjen e vrasjes.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë në Suharekë janë në vazhdim.

Radio Vala 98.3 FM – www.radiovala.net