Suharekë, 28 tetor 2025
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Dega në Suharekë ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kandidatit për kryetar të Komunës së Suharekës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Ardian Shala, të bëra në emisionin “Debat Pernime” në Kallxo.com me moderatore Jeta Xharrën.
Në reagimin publik, OVL e UÇK-së ka sqaruar se akuzat e z. Shala ndaj kryetarit aktual dhe kandidatit për mandat të ri, z. Bali Muharremaj, lidhur me tenderin për rregullimin e lapidarit në fshatin Studenqan, janë të pabazuara dhe të pavërteta.
Sipas sqarimeve të kësaj organizate, tenderi i përmendur ka qenë i hapur për tre lapidarë – në fshatrat Dubravë, Vraniq dhe Studenqan.
“Në rastin e lapidarit të Studenqanit, Komuna e Suharekës nuk ka shpenzuar asnjë cent nga buxheti komunal, pasi organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së në nëndegën e Studenqanit kanë siguruar donatorë privatë për realizimin e punimeve. Si rrjedhojë, mjetet e tenderit janë përdorur vetëm për rregullimin e lapidarëve në Dubravë dhe Vraniq,” thuhet në reagim.
OVL e UÇK-së në Suharekë njofton gjithashtu se posedon materialin zyrtar të tenderit që dëshmon qartë këto fakte.
Kjo organizatë kërkon nga të dy kandidatët për kryetar të Komunës së Suharekës që të mos i përfshijnë lapidarët e dëshmorëve dhe martirëve në betejat e tyre politike.
“Këto simbole të shenjta përfaqësojnë sakrificën më të lartë të popullit tonë për liri dhe pavarësi. Çdo përpjekje për përdorim politik apo manipulim me emrin e dëshmorëve është e papranueshme, fyese dhe cenon ndjenjat e familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës,” theksohet më tej në reagim.
Në fund, OVL e UÇK-së – Dega në Suharekë fton të dy kandidatët që të garojnë me programe, ide dhe vizione konkrete për përmirësimin e jetës së qytetarëve, duke dëshmuar kujdes dhe respekt për kategoritë e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me respekt,
Kryesia e OVL UÇK – Dega Suharekë
Kryetar: Sejdi Elezi

















Lini një Përgjigje