Të enjten është paraparë të nis seria e finales së playoffit të Superligës në basketboll, ndërsa Trepça e Ylli do të dalin në betejat ku ekipi që arrin tre fitore do të kurorëzohet me titullin kampion të Kosovës për stinorin 2023/24.
Kampionja aktuale e Kosovës, Peja u eliminua nga garat në gjysmëfinale të playoffit nga Ylli, pas një serie të shkuar deri në ndeshjen e pestë, maksimale, ku suharekasit e drejtuar nga Petar Mijovic triumfuan 2-3 në seri. Trepça, kaloi pa telashe ndaj rekord-kampiones së Kosovës, Prishtina, duke e mposhtur 3-0 në seri.
Dueli i parë luhet në “Minatori” dhe nis në ora 19:00 më 9 maj, ndërsa Trepça ka përparësinë e terrenit vendas në rast që seria shkon në ndeshjen e pestë vendimtare të saj. Mitrovicasit, që drejtohen nga ish-trajneri i Yllit Adis Beciragic, nuk kanë fituar titull kampioni të Kosovës që prej stinorit 2011/12. Ylli ndërkaq ka arritur në finalen e tretë në katër stinorët e fundit. Trepça është nënkampione e dy të stinorëve të fundit, ku në stinorin 2021/22 u mposht nga Ylli në finale 3-1, ndërsa në stinorin 2022/23 u mposht nga Peja, 3-2.
Sistemi i ndeshjeve në serinë finale luhet 1-1-1-1-1, ku Trepça nis e para, ndërsa vazhdon me vajtje-ardhje deri në tre fitore.
Lini një Përgjigje