Sot, në territorin e Republikës së Kosovës janë regjistruar reshje të dendura shiu, të cilat në disa zona kanë qenë më të theksuara. Ndër komunat më të prekura është edhe Komuna e Suharekës, ku në disa fshatra janë raportuar reshje të mëdha që kanë shkaktuar vështirësi për qytetarët.
Me këtë rast, organet kompetente komunale, si dhe Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, kanë dalë në terren për të parë nga afër gjendjen dhe për të ndërmarrë veprime sipas nevojës.
Kryetari Muharremaj, përmes një njoftimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, ka bërë të ditur se reshjet e shumta kanë shkaktuar vërshime të konsiderueshme në fshatin Semetisht, si dhe në disa fshatra të tjera të komunës. Ai theksoi se ekipet komunale janë në terren dhe situata po monitorohet vazhdimisht.
“ Në Semetisht dhe shumë fshatra tjera ka pasur reshje të shumta të shiut. Ne jemi në terren dhe do të veprojmë sipas situatës”, ka shkruar Muharremaj.
Tutje, Kryetari i Komunës ka theksuar se aty ku është e mundur do të intervenohet menjëherë, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë reshjeve të shmangin daljet e panevojshme, veçanërisht në zonat e rrezikuara.
Autoritetet komunale mbeten në gatishmëri për të reaguar në rast nevoje dhe u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar.

















Lini një Përgjigje