Qeveria prezanton projektbuxhetin për vitin 2027, parashihen 4.27 miliardë euro /

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar në mbledhjen e Qeverisë projektbuxhetin për vitin 2027, i cili parashihet të arrijë vlerën prej 4.27 miliardë eurosh, apo 200 milionë euro më shumë krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2026.

Kurti ka bërë të ditur se miratimi i Ligjit të Buxhetit është pika e parë e rendit të ditës, duke theksuar se rritja e të hyrave buxhetore dhe performanca ekonomike kanë mundësuar zgjerimin e buxhetit dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale.

Sipas tij, gjatë qeverisjes së kaluar është shënuar rritje e vazhdueshme e të hyrave, ndërsa është ndryshuar edhe struktura e tyre, me rritje më të madhe të të hyrave të brendshme të mbledhura nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Kryeministri ka deklaruar se për vitin 2027 janë paraparë 908 milionë euro financim direkt për komunat, duke e cilësuar këtë si buxhet rekord për nivelin lokal.

Ndër masat e parapara në projektbuxhet janë edhe paga e 13-të për punonjësit publikë dhe rritja e koeficientit të pagave në 120 euro, nga 1 korriku 2027.

Sipas prezantimit të Kurtit, buxheti për paga do të arrijë në 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa paga mesatare bruto për rreth 85 mijë punonjës publikë pritet të jetë mbi 1 mijë euro në muaj.

Një tjetër masë e përfshirë në projektbuxhet është rritja graduale e shtesave për fëmijë, me synimin që ato të dyfishohen deri në vitin 2030. Rritja do të realizohet në katër faza, nga 25 për qind secila, duke filluar nga 1 janari 2027 dhe duke vazhduar në vitet 2028, 2029 dhe 2030.

Kurti ka bërë të ditur gjithashtu se është paraparë rritja e mbështetjes financiare për ekipet mbrojtëse të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, sipas kërkesave të paraqitura nga ekipet e tyre mbrojtëse.

Kryeministri ka theksuar se projektbuxheti për vitin 2027 synon të mbështesë rritjen ekonomike, investimet publike, komunat dhe mirëqenien e qytetarëve.

Projektbuxheti pritet të kalojë procedurat përkatëse institucionale për miratim.