Paraburgime, drogë, kërcënime e raste të dhunës në familje – çfarë ndodhi në Kosovë gjatë 24 orëve? /

Një i dyshuar për tentimvrasje në Vushtrri përfundon në paraburgim pas vetëdorëzimit, një tjetër ndryshon pozitën nga dëshmitar në të dyshuar dhe dërgohet në qeli, ndërsa hetuesit e antidrogës sekuestrojnë marihuanë në Gjakovë.

Në anën tjetër, një mesazh kërcënues ndaj vëllezërve Haradinaj përfundon në duart e Prokurorisë Speciale, një aksident në Mitrovicë merr jetën e motoçiklistit pas gjashtë ditësh në spital, ndërsa disa raste të dhunës në familje dhe arrestime të tjera janë regjistruar në vend. Çfarë ndodhi?

Gazeta Sinjali ju sjell përmbledhjen e ngjarjeve të fundit.

Vushtrri – Një muaj paraburgim për të dyshuarin që u vetëdorëzua për tentimvrasje

Bekim Maxhuni, i dyshuar për përfshirje në sulmin e rëndë ndaj Luan Lokajt në Vushtrri, është dërguar në paraburgim për një muaj. Vendimi është marrë më 30 tetor nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, pas vetëdorëzimit të tij në Polici më 28 tetor.

Maxhuni, i lindur më 1998, ishte në kërkim policor për ngjarjen e 30 shtatorit, kur Lokaj ishte sulmuar me mjete të forta pranë “Urës së Hekurit”, në rrugën “Xhavit Mulaku”. Gjatë vetëdorëzimit, ai u kishte treguar hetuesve edhe vendin ku kishte fshehur një pistoletë dhe një fishek.

Policia kishte gjetur dhe sekuestruar një pistoletë të tipit “Crvena Zastava”, të kalibrit 7.65 mm, e cila dyshohet se është përdorur gjatë incidentit.

Lokaj kishte pësuar lëndime në kokë, frakturë të hundës dhe thyerje të gishtave në të dyja duart, ndërsa në vendngjarje ishin gjetur katër gëzhoja dhe municion. Për të njëjtin rast, një muaj paraburgim i ishte caktuar edhe Naim Maxhunit (57), më 9 tetor. Të dy të dyshuarit tashmë ndodhen në paraburgim, ndërsa rasti po hetohet për “Vrasje në tentativë në bashkëkryerje”.

Gjakovë – I sekuestrohen marihuana dhe një joint, 26-vjeçari ndalohet për 48 orë

Një kontroll i zhvilluar nga hetuesit e antidrogës në rrugën “Elez Miftari” në Gjakovë ka përfunduar me sekuestrimin e substancave të dyshuara narkotike dhe ndalimin e një të riu.

Sipas burimeve të Sinjalit, bëhet fjalë për Sarmand Cufën, rreth 26-vjeçar, në pronën e të cilit është kryer bastisje më 29 tetor, rreth orës 16:40.

Gjatë kontrollit, hetuesit kanë gjetur një pako plastike me 14.65 gramë substancë të dyshuar marihuanë dhe një joint me peshë 0.94 gramë. Të dyja janë sekuestruar, ndërsa Cufa është shoqëruar për intervistim.

Me vendim të organeve kompetente, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tij është iniciuar rasti për “Posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Mitrovicë – Nga dëshmitar në të dyshuar për tentimvrasje, Kajtazit i caktohet një muaj paraburgim

Gentrit Kajtazi, rreth 25-vjeçar, i cili fillimisht ishte intervistuar si dëshmitar për një përleshje të përgjakshme në Mitrovicë, tashmë ndodhet në paraburgim si i dyshuar për tentimvrasje.

Kajtazi është ftuar më 28 tetor në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për ngjarjen e 18 shtatorit. Pas intervistimit, ndaj tij është caktuar ndalimi prej 48 orësh, ndërsa më 29 tetor Gjykata Themelore në Mitrovicë i ka caktuar një muaj paraburgim.

Ngjarja kishte ndodhur në rrugën “Adem Jashari”, ku dy persona ishin plagosur me mjet të mprehtë në pjesë vitale të trupit. Në përpjekje për të ndërhyrë kishte pësuar lëndime të lehta edhe një zyrtar policor që ndodhej jashtë detyrës.

Për këtë rast, Policia kishte arrestuar fillimisht Granit Fazliun, rreth 19-vjeçar, ndaj të cilit paraburgimi ishte caktuar më 19 shtator. Hetimet e mëtejshme kanë çuar edhe te Kajtazi, ndërsa autoritetet po vazhdojnë të sqarojnë rolin e secilit person të përfshirë.

Kosovë – “Detyra: vrasja e vëllezërve Haradinaj”, profili në Facebook bëhet objekt hetimi

Një profil në Facebook me emrin “Besim Kelmendi”, në përshkrimin e të cilit shkruhej “Detyra: vrasja e vëllezërve Haradinaj”, është bërë objekt hetimi nga Policia dhe Prokuroria Speciale.

Më 29 tetor, një përfaqësues i AAK-së, me inicialet K.Xh., është paraqitur në Stacionin Policor Qendra dhe ka raportuar përmbajtjen e profilit, të cilën e kishte konsideruar kërcënuese dhe nxitëse të urrejtjes.

Për rastin është njoftuar Prokuroria Speciale, e cila ka udhëzuar inicimin e hetimeve për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”. Raportuesi është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, ndërsa hetimet janë përqendruar në identifikimin e personit që qëndron prapa profilit.

Mitrovicë – Vdes motoçiklisti pas gjashtë ditësh në QKUK, aksidenti po hetohet

Berat Asllani, i cili ishte lënduar rëndë në një aksident trafiku në Mitrovicë, ka ndërruar jetë më 30 tetor, rreth orës 03:40, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas gjashtë ditësh trajtimi mjekësor.

Aksidenti kishte ndodhur më 24 tetor, rreth orës 21:25, në rrugën “Ahmet Selaçi”, ku ishin përfshirë një veturë Peugeot dhe motoçikleta BMW që drejtohej nga Asllani.

Sipas informacioneve të Sinjalit, drejtuesi i veturës, Samedin Ahmeti, dyshohet se nuk e kishte respektuar shenjën STOP në udhëkryqin me rrugën “Ahmet Selaçi”, duke hyrë në rrugën me përparësi kalimi dhe duke u përplasur me motoçikletën.

Asllani fillimisht ishte dërguar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, e më pas në QKUK për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Pas vdekjes së tij, trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Ndaj shoferit të veturës ishte caktuar ndalimi prej 48 orësh, ndërsa hetimet për aksidentin vazhdojnë.

Prishtinë – Pesë raste të dhunës në familje, gra të kanosura dhe të sulmuara nga bashkëshortët

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në rajonin e Prishtinës gjatë 29 dhe 30 tetorit. Rastet përfshijnë dhunë psikike, fizike dhe kanosje ndaj bashkëshorteve e ish-bashkëshorteve.

Në Gllogoc, më 30 tetor, rreth orës 09:30, është arrestuar një burrë që dyshohet se kishte kanosur bashkëshorten. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Në Obiliq, rreth orës 12:15, është raportuar dhunë psikike ndaj një gruaje nga bashkëshorti i saj. I dyshuari nuk është hasur, ndërsa rasti është duke u hetuar.

Në Prishtinë, një grua ka raportuar se ishte kanosur nga ish-bashkëshorti, për të cilin kishte deklaruar se posedonte armë zjarri në shtëpi. Policia ka kryer bastisje, por nuk ka gjetur asgjë të dyshimtë. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Një tjetër burrë është arrestuar në Prishtinë, pasi dyshohet se kishte ushtruar dhunë psikike dhe kishte kanosur bashkëshorten. Ndërkaq, në rastin e raportuar rreth orës 20:00, një burrë dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes. Ai është arrestuar, por pas intervistimit është liruar me vendim të prokurorit për t’u proceduar në procedurë të rregullt.

Një tjetër rast i dhunës në familje është raportuar në Prishtinë gjatë periudhës 22-30 tetor. Një grua ka deklaruar se kishte përjetuar vazhdimisht dhunë psikike nga bashkëshorti i saj, me të cilin nuk bashkëjetonte prej disa muajsh.

I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Shtërpcë – Sulmon kalimtarët me gurë e copa druri, lëndon edhe policen

Një person dyshohet se ka sulmuar kalimtarët e rastit në Shtërpcë, duke përdorur mjete të forta, përfshirë gurë dhe copa druri.

Ngjarja është raportuar më 30 tetor, rreth orës 11:30. Gjatë përpjekjes për ta vënë nën kontroll, i dyshuari e ka shtyrë një zyrtare policore, e cila ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Kosovë – Arrestohet i kërkuari nga Luksemburgu për vjedhje

Një shtetas kosovar me inicialet D.A., i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Luksemburgut për veprën penale “Vjedhje”, është arrestuar më 30 tetor, rreth orës 16:30.

Arrestimi është realizuar nga njësitet e Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet e tjera policore dhe institucionet përkatëse, pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhërarrest përmes INTERPOL-it.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, i arrestuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, për vazhdimin e procedurave ligjore.

Nëntë raste e zhvillime, nga tentimvrasjet dhe droga te kërcënimet, dhuna në familje, aksidenti fatal dhe arrestimet ndërkombëtare. Hetimet dhe procedurat përkatëse po vazhdojnë nga autoritetet kompetente.