Tri sportiste do ta përfaqësojnë Kosovën në xhudo, taekwondo dhe atletikë në Lojërat Olimpike për të Rinj, që mbahen nga 30 tetori deri më 13 nëntor në Dakar të Senegalit.
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka prezantuar ekipin olimpik që do ta përfaqësojë vendin në Lojërat Olimpike Verore për të Rinj “Dakar 2026”, ku pritet të marrin pjesë rreth 2,700 sportistë nga e gjithë bota.
Kosovën në këtë ngjarje të rëndësishme sportive do ta përfaqësojnë Arba Hasanaj në xhudo, Shega Sejdiu në taekwondo dhe Erisë Avdullahu në atletikë. Të tria sportistet kanë siguruar kuotat minimale të kualifikimit për pjesëmarrje në këto gara.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka shprehur pritshmëritë për paraqitje sa më të mira të sportisteve kosovare, duke shpresuar që vendi të arrijë edhe te medaljet.
Sportistet Arba Hasanaj dhe Shega Sejdiu janë shprehur optimiste për paraqitjet e tyre, ndërsa pritshmëri pozitive kanë shprehur edhe trajnerët Fatos Tabaku, në xhudo, dhe Valmir Fetiu, në taekwondo.
Në ceremoninë e prezantimit nuk ishte e pranishme atletja Erisë Avdullahu, e cila ndodhet në Gjermani dhe do t’i bashkohet ekipit në Senegal. Me delegacionin kosovar do të udhëtojë edhe shefi i misionit, Jeton Rudari.
Për Kosovën, kjo do të jetë pjesëmarrja e dytë në Lojërat Olimpike Verore për të Rinj, pas debutimit në Buenos Aires të Argjentinës, në vitin 2018. Në atë edicion, xhudistja Erza Muminoviq fitoi medaljen e bronztë, duke shënuar një sukses të rëndësishëm për sportin kosovar.
Lojërat Olimpike për të Rinj “Dakar 2026” do të mbahen nga 30 tetori deri më 13 nëntor, me pjesëmarrjen e sportistëve të moshës 15 deri në 17 vjeç, të cilët do të garojnë në 25 sporte të ndryshme.























Lini një Përgjigje