Nesër promovohet numri i dytë i revistës „Zëri që sjell ndryshime“ në Suharekë

Shoqata e Personave të Verbër në Suharekë do të organizojë promovimin e numrit të dytë të revistës „Zëri që sjell ndryshime“, e cila trajton çështje të rëndësishme që lidhen me arsimin, punësimin, avancimin profesional, të drejtat dhe mundësitë e personave të verbër dhe me shikim të dobët.

Ky aktivitet mbahet në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, me qëllim të promovimit të gjithëpërfshirjes, barazisë në arsim dhe punësim, si dhe të pjesëmarrjes aktive të personave me dëmtime në shikim në jetën shoqërore.

Përmes kësaj reviste, shoqata synon të rrisë ndërgjegjësimin për sfidat me të cilat përballen personat e verbër dhe me shikim të dobët, duke vënë në pah rëndësinë e krijimit të mundësive të barabarta dhe respektimit të të drejtave të tyre.

Promovimi do të mbahet të shtunën, më 24 tetor 2026, në orën 10:00, në Bibliotekën e Qytetit „Hajdin Berisha“ në Suharekë.

Në këtë ngjarje janë të ftuar përfaqësues të institucioneve, organizata të shoqërisë civile, përfaqësues të mediave, bashkëpunëtorë, nxënës, studentë dhe qytetarë të interesuar.

Shoqata e Personave të Verbër në Suharekë ka ftuar të gjithë të interesuarit që t’i bashkohen këtij aktiviteti dhe të njihen nga afër me përmbajtjen e numrit të dytë të revistës „Zëri që sjell ndryshime“.