Konjufca në Procesin e Berlinit: Bashkëpunimi rajonal duhet të garantojë trajtim të barabartë

Kryediplomati i Kosovës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, të mbajtur në Mal të Zi.

Në takim, ku morën pjesë përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian, Konjufca ka theksuar nevojën për trajtim të barabartë të të gjithë partnerëve të rajonit.

Ai ka ngritur edhe çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke përmendur pasivizimin e adresave, njohjen e diplomave dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore të Serbisë.

“Nuk mund të ketë standarde të dyfishta”, ka shkruar Konjufca.

Duke folur për integrimin evropian, ai ka deklaruar se Kosova është e gatshme të avancojë në bazë të meritave dhe rezultateve, duke kërkuar hapa konkretë drejt statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.