Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) janë larguar nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas konstituimit të tij, duke kërkuar që në Kuvend të procedohet sa më shpejt ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Deputetja Besa Kabashi-Ramaj tha se konstituimi i institucioneve është i rëndësishëm, por sipas saj, prioritet aktual duhet të jetë procedimi i ligjit për Dhomat e Specializuara.
Të njëjtin qëndrim e shprehu edhe deputeti Rrahman Rama, i cili deklaroi se PDK-ja nuk do të marrë pjesë në komisione të tjera deri në procedimin e këtij ligji.
Rama tha se PDK-ja pret që ligji të procedohet sa më shpejt, ndërsa lidhur me takimet e paralajmëruara ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, ai theksoi se fillimisht duhet të trajtohet çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara, përfshirë mbikëqyrjen e procesit dhe përkrahjen financiare.

















Lini një Përgjigje