Qeveria e Kosovës ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2027, i cili parasheh vazhdimin e pagës së 13-të për punonjësit publikë, rritjen e pagave dhe shtimin gradual të përfitimeve për familjet me fëmijë.

Sipas kryeministrit Albin Kurti, në gjysmën e parë të vitit 2027 punonjësit publikë do të përfitojnë pagën e 13-të, ndërsa nga 1 korriku 2027 është paraparë rritja e vlerës së koeficientit të pagave në 120 euro.
Me këtë ndryshim, buxheti për paga pritet të arrijë në 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa sipas Kurtit, paga mesatare bruto për punonjësit publikë do të kalojë 1 mijë euro në muaj.
Rriten shtesat për fëmijë nga janari 2027
Përveç pagave, projektbuxheti parasheh edhe rritjen graduale të shtesave për fëmijë, me nga 25 për qind çdo vit, duke filluar nga 1 janari 2027.
Kryeministri Kurti ka dhënë edhe shembuj konkretë të përfitimeve të reja:
- Familjet me dy fëmijë, nga 60 euro sa marrin aktualisht, do të përfitojnë 75 euro në muaj.
- Familjet me katër fëmijë, nga 180 euro sa marrin aktualisht, do të përfitojnë 225 euro në muaj.
Kjo rritje do të vazhdojë në vitet 2028, 2029 dhe 2030, me synimin që shtesat për fëmijë të dyfishohen deri në përfundim të mandatit.
“Një familje që ka dy fëmijë tash i merr 60 euro, e nga janari do t’i marrë 75 euro. E një familje me katër fëmijë merr tash 180 euro e nga janari do të marrë 225 euro. Kjo rritje vazhdon secilin vit derisa të arrihet dyfishimi i shtesave brenda mandatit”, ka deklaruar Kurti.
Projektbuxheti për vitin 2027 kap vlerën prej 4.27 miliardë eurosh dhe është proceduar në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim.

















Lini një Përgjigje