Sot në Bibliotekën e Qytetit “Hajdin Berisha” u mbajt promovimi i librit me poezi “Poezi nëpër kohë” të autorit Bajram Zyba.
Në këtë ngjarje kulturore morën pjesë shumë shkrimtarë nga vende të ndryshme, si dhe figura të njohura politike e qytetare.Libri përmbledh poezi të shkruara nga vet autori që nga viti 1972 e deri në ditët e sotme.
Bajram Zyba sjell në kujtesë ngjarje, emocione dhe momente të ndryshme nga përvoja personale dhe kolektive e popullit tonë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, përgëzoi autorin dhe mësuesin Bajram Zyba për kontributin e tij mbi 42-vjeçar në arsimimin dhe edukimin e brezave të tërë.
Ai vlerësoi lart punën e autorit, i cili tashmë iu ka ofruar lexuesve një vepër poetike të mbledhur ndër vite.
Bajram Zyba ka lindur në prill të vitit 1949 në fshatin Bukosh të Suharekës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Prizren dhe më pas studioi në Tetovë, ku diplomoi si mësues i kualifikuar në vitin 1972.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, ai iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në logjistikë.
Në fjalën e tij, autori falënderoi Kryetarin Muharremaj, deputetin Sali Zyba dhe të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen. Ai ndau me publikun rrugëtimin e gjatë të librit të tij, duke theksuar se poezitë i ka kushtuar familjes, natyrës, luftës dhe dëshmorëve të Kosovës.





















Lini një Përgjigje