Foda para sfidës me Sllovakinë: “Ekipi ka vetëbesim, pres ndeshje të barabartë” /

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda, ka folur për përballjen e rëndësishme ndaj Sllovakisë, e cila do të zhvillohet si mysafir në ndeshjen e parë të dyshes.

Foda vlerësoi lart kundërshtarin, duke përmendur formën e mirë të Sllovakisë, e cila së fundi ka triumfuar 2:0 ndaj Gjermanisë. Megjithatë, ai theksoi se rezultatet pozitive të Kosovës në ndeshjet si mysafir flasin vetë.

“Ata kanë një ekip të fortë dhe së fundi fituan 2 me 0 ndaj Gjermanisë në shtëpi. Megjithatë, rezultatet tona të fundit flasin vetë. Kemi fituar si mysafir në Suedi, Slloveni dhe Islandë. Ekipi është i ngarkuar me vetëbesim dhe pres që të jetë një ndeshje e barabartë,” u shpreh Foda për faqen zyrtare të FFK-së.

Trajneri austriak shtoi se një fitore në Sllovaki do ta vendoste Kosovën në pozitë ideale për ta mbyllur punën para tifozëve në shtëpi.

“Nëse e marrim fitoren në këtë takim, atëherë kthehemi në shtëpi me mundësinë për ta mbyllur punën para tifozëve tanë. Por fokusi ynë i plotë është te ndeshja e parë në Sllovaki. Pastaj shohim hapin tjetër.”

Kosova po hyn në këtë sfidë me moral të lartë, falë rezultateve të mira në transfertë dhe formës së ngritur të ekipit.