Drejtoria e Arsimit në Suharekë nis programin për Inteligjencën Artificiale në shkolla

Arsimi publik në Komunën e Suharekës po hyn në një fazë të re zhvillimi, falë një iniciative inovative për aftësi mbi Inteligjencën Artificiale, në bashkëpunim me Shkollën Digjitale Suharekë.

Sipas njoftimit nga Drejtoria e Arsimit Remzi Bajselmani, shumë shpejt çdo shkollë fillore dhe e mesme në komunë do të ketë nga një orë të dedikuar edukimi mbi Inteligjencën Artificiale, ku nxënësit do të mësojnë bazat e teknologjive të reja, automatizimit dhe të mendimit digjital.

Ky projekt synon të përgatisë gjeneratat e reja për të ardhmen dhe t’i vendosë nxënësit e Suharekës në hap me zhvillimet moderne teknologjike.

“Po e nisim një revolucion të arsimit publik në Suharekë,” thuhet në njoftimin zyrtar, ku theksohet rëndësia e përfshirjes së fëmijëve dhe të rinjve në botën e inteligjencës artificiale që në moshë të hershme.