Bali Muharremaj pret ambasadorin e Sllovenisë, diskutohet për bashkëpunimin ekonomik dhe investimet

Suharekë – Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, z. Borut Blaj.

Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Qendrës së Biznesit në Suharekë, ndërsa diskutimet janë fokusuar në mundësitë për bashkëpunim ekonomik, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e partneriteteve të reja ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre nga Sllovenia.

Gjatë takimit, Muharremaj ka theksuar rëndësinë e sektorit privat në zhvillimin ekonomik të Suharekës, duke vlerësuar se komuna ka një sektor privat aktiv, traditë në ndërmarrësi dhe potencial për të zhvilluar bashkëpunime të reja ndërkombëtare.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe krijimi i urave të reja të bashkëpunimit dhe identifikimi i mundësive për investime, të cilat do të mund të kontribuonin në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e mëtejshëm të komunitetit të biznesit në Suharekë.

Kryetari Bali Muharremaj i ka uruar mirëseardhje Ambasadorit Borut Blaj dhe sukses në misionin e tij diplomatik në Kosovë, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me institucionet dhe komunitetin e biznesit të Sllovenisë.

Takimi u vlerësua si një mundësi për të forcuar lidhjet dhe për të krijuar hapësira të reja për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Suharekës dhe Sllovenisë.