Liria humbi edhe një mbrojtës të saj, ai i mbijetoi plagëve të luftës, por jo kohës! Lamtumirë Çlirimtar Bekim Ali Ugzmaili

Bekim Ali Ugzmaili, luftëtar i lirisë dhe veteran/invalid i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u nda nga jeta më 21.07.2026, pas një beteje të gjatë me plagët e rënda që kishte marrë gjatë luftës. Ai mbetet një ndër ata çlirimtarë që ia kushtuan jetën atdheut, duke e paguar lirinë me gjakun, sakrificën dhe vuajtjet e tyre.

Bekim Ali Ugzmaili u lind më 12.04.1974 në fshatin Jezerc, Komuna e Ferizajt, nga prindërit Aliu dhe Sabrija, të cilët e rritën me mund, sakrificë dhe dashuri për punën e ndershme. Shkollën e kreu në vendlindje, ndërsa që në moshë të re u bë krah i djathtë i familjes, duke ndihmuar në sigurimin e ekzistencës së saj.

Me shpërthimin e luftës çlirimtare, në pranverën e vitit 1998, Bekimi iu bashkua strukturave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në fillim të korrikut 1998 u radhit në njësitë e para të UÇK-së në Zonën e Nerodimës, në Shtabin e Jezercit, ku shërbeu me përkushtim si ushtar. Gjatë verës mori pjesë në luftimet për mbrojtjen e vendlindjes, ndërsa në ofensivën e 28–29 shtatorit 1998 ishte i sistemuar në Pikën nr. 6, pranë Gurit të Kadisë, mbi Jezerc dhe në afërsi të Budakovës.

Pas dëshmimit të trimërisë dhe vendosmërisë në luftime të ashpra e të pabarabarta, në nëntor të vitit 1998 ai u transferua në Njësinë Speciale pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së (Batalioni Diverzant–Vëzhgues). Në këtë njësi elitare, Bekimi u dallua për guximin, disiplinën dhe vendosmërinë e tij, duke marrë pjesë në betejën e Reçakut në janar 1999, në betejën e Budakovës, si dhe në luftimet e Grejqevcit dhe Lanishit. Gjithashtu, realizoi me sukses një varg detyrash dhe aksionesh në Krushicë, Mohlan, Reçan dhe zona të tjera operative.

Gjatë muajit prill 1999, Bekimi, së bashku me shokët e njësisë së komanduar nga Komandant Xhafa, ishte angazhuar në një mision jashtëzakonisht të rëndësishëm në Dremjak të Ferizajt, duke siguruar udhëheqësit e UÇK-së, ndër ta ishin: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Agim Çeku, Ram Buja, Elmi Reçica dhe pjesëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm.

Më 18.04.1999 u zhvillua Beteja e Slivovës, një nga betejat më të përgjakshme të luftës, ku përleshjet u zhvilluan trup më trup. Në këtë betejë ranë heroikisht dëshmorët Driton Islami – Toni dhe Sadik Bega – Mortaja, ndërsa Bekim Ugzmaili u plagos rëndë nga plumba shpërthyes që i depërtuan deri në mushkëri. Falë qëndresës së tij të jashtëzakonshme dhe përkushtimit të mjekëve të UÇK-së, ai i mbijetoi plagëve, dhe sapo gjendja shëndetësore ia mundësoi, u rikthye sërish në shërbim të misionit të shenjtë për çlirimin e Kosovës.

Pas luftës, me transformimin e UÇK-së në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), Bekim Ugzmaili vazhdoi t’i shërbente vendit si gardist në Batalionin Gardist “Besim Ndrecaj”, në Zonën e Dytë Mbrojtëse (Z2M), duke mbetur besnik idealeve për të cilat kishte luftuar.

Plagët e marra gjatë luftës nuk reshtën kurrë së rënduari shëndetin e tij. Për vite me radhë ai u përball me dhimbje, trajtime dhe ndërhyrje të shumta mjekësore, por asnjëherë nuk u dorëzua. Me dinjitetin, forcën dhe karakterin e një luftëtari të vërtetë, ai i përballoi të gjitha sfidat që i sollën pasojat e luftës.

Bekimi ishte njeri i familjes, mik besnik dhe shok i dashur. Ai e deshi me gjithë zemër bashkëshorten, fëmijët, familjen, miqtë dhe bashkëluftëtarët, por mbi të gjitha e deshi lirinë e Kosovës. Kujtimi për shokët e rënë dhe plagët e luftës e shoqëruan deri në ditën kur zemra e tij pushoi së rrahuri, më 21 korrik 2026.

Zemra e Bekim Ugzmaili ndaloj në moshë 52 vjeçare, dhe la pas bashkëshorten, djemtë Jetlirin dhe Ylberin, si dhe vajzën Gentianën. Familjes së tij u la krenarinë e emrit dhe të veprës së tij, ndërsa Kosovës i la një trashëgimi të çmuar si shembullin e një luftëtari që nuk u kursye kurrë për lirinë e atdheut.

Lavdi jetës, veprës, gjakut dhe sakrificës së Bekim Ali Ugzmailit !

Lavdi të përjetshme të gjithë Luftëtarëve dhe Dëshmorëve të lirisë.

Xh. G – 22 Korrik 2026 Njësia Speciale pran SHP UÇK.