Në mbledhjen e mbajtur sot në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Suharekë, Bali Muharremaj ka marrë mbështetjen dhe miratimin unanim nga Këshilli Drejtues dhe organet tjera drejtuese të degës së AAK-së në Suharekë për kandidimin e tij për Kryetar të Komunës në zgjedhjet lokale të vitit 2025.
Muharremaj, i cili aktualisht është në përfundim të mandatit të tij të dytë si kryetar i komunës, njëherësh mban edhe postin e kryetarit të degës së AAK-së në Suharekë. Gjatë dy mandateve të tij, nën udhëheqjen e tij janë realizuar projekte të rëndësishme infrastrukturore dhe zhvillimore në të gjitha sektorët e komunës.
Në zgjedhjet e fundit lokale, ai fitoi bindshëm ndaj kundërkandidatëve të tjerë, duke marrë mandatin për të udhëhequr qeverisjen lokale. Edhe pse kishte fituar shumicën, ai zgjodhi të bashkëqeverisë me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke ndarë dy drejtori brenda ekzekutivit komunal.
Përkundër disa lëvizjeve të fundit brenda AAK-së në Suharekë, përfshirë largimin e ish-kryetarit të komunës dhe ish-kryetarit të degës Blerim Kuçi (i cili ka udhëhequr komunën gjatë viteve 2009–2014), si dhe dorëheqjen e dy kryetarëve të nëndegëve nga fshatrat Reshtan dhe Studençan, Muharremaj ka siguruar sërish përkrahjen e partisë për të kandiduar për një mandat të tretë.
Mbetet të shihet se si do të zhvillohet dinamika politike dhe gara për të parin e komunës në zgjedhjet lokale të vitit 2025.
Lini një Përgjigje