Zjarr në Budakovë, zjarrfikësit në terren për shuarjen e flakëve

Një zjarr ka shpërthyer këtë pasdite në një pjesë të fshatit Budakovë të Suharekës, ndërsa flakët ende nuk janë shuar plotësisht.

Njësiti i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Suharekë ka intervenuar menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe ekipet zjarrfikëse vazhdojnë të jenë në terren, duke u përballur me flakët dhe duke punuar për lokalizimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i cili është informuar nga afër për situatën dhe zhvillimet në terren.

Muharremaj ka falënderuar ekipet e zjarrfikësve për intervenimin dhe angazhimin e tyre, ndërsa ka apeluar te qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta, kur rreziku nga zjarret është më i madh.

Zjarrfikësit po vazhdojnë intervenimin në terren, ndërsa situata mbetet nën monitorim.