Suharekë: Në Samadraxh po pyllëzohet Parku i Dëshmorëve me 1,250 fidane të reja

Në Parkun e Dëshmorëve, në fshatin Samadraxh të Suharekës, ka nisur një aksion për pyllëzimin dhe shtimin e hapësirave të gjelbra, ku po mbillen rreth 1,250 fidane të reja.

Në këtë aktivitet janë angazhuar kryetari i fshatit Samadraxh, kryetari i Shoqatës së Bizneseve, si dhe punëtorët e EKO Therandës, me synimin për ta bërë këtë hapësirë më të gjelbër, më të pastër dhe më tërheqëse për qytetarët.

Organizatorët kanë bërë të ditur se kjo nismë synohet të kthehet në aktivitet të përvitshëm, në bashkëpunim me Shoqatën e Bizneseve dhe me përkrahjen e institucioneve komunale dhe diasporës.

Me këtë rast, është shprehur mirënjohje për punëtorët e Komunës së Suharekës, EKO Therandën dhe të gjithë kontribuuesit që u angazhuan në realizimin e këtij projekti.

Përmes këtij projekti, Parku i Dëshmorëve synohet të shndërrohet në një hapësirë të veçantë natyrore dhe përkujtimore, ku brezat e sotëm dhe të ardhshëm do të kujtojnë sakrificën e dëshmorëve dhe lirinë për të cilën ata dhanë jetën.

Pyllëzimi me 1,250 fidane të reja paraqet një kontribut të rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e komunitetit dhe ruajtjen e kujtimit për dëshmorët.