Suharekë: Në fokus ndërhyrja në fëmijërinë e hershme, organizohet punëtori nga Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF-i

Për dy ditë radhazi është mbajtur një punëtori e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF-i, me pjesëmarrjen e drejtorëve të Drejtorive për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (DSHMS) dhe drejtorëve të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në kuadër të programit “Ndërhyrja në Fëmijërinë e Hershme”.

Në këtë punëtori është diskutuar rëndësia e identifikimit të hershëm të fëmijëve që mund të kenë vonesa apo vështirësi në zhvillim, me qëllim që ata të marrin mbështetjen dhe shërbimet e nevojshme në kohën e duhur.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e komunave kanë prezantuar gjendjen aktuale, sfidat dhe nevojat me të cilat përballen, ndërsa janë përcaktuar edhe hapat konkretë dhe afatet kohore për realizimin e objektivave të këtij programi.

Me këtë rast, është shprehur falënderim për Ministrinë e Shëndetësisë dhe UNICEF-in për organizimin, mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm në fuqizimin e shërbimeve shëndetësore dhe sociale për fëmijët dhe familjet.

Programi “Ndërhyrja në Fëmijërinë e Hershme” synon të krijojë mundësi më të mira për zhvillimin e fëmijëve, duke siguruar identifikim dhe mbështetje në fazat më të hershme të jetës.

Investimi në fëmijërinë e hershme është një hap i rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të shëndetshme dhe më të mirë për të gjithë.