Suharekë: MINTI intensifikon kontrollet në tregun e derivateve, bie çmimi i naftës në Kosovë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka intensifikuar mbikëqyrjen e tregut të derivateve të naftës në Kosovë, pas lëvizjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Sipas njoftimit të MINTI-t, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) po zhvillon kontrolle të vazhdueshme në pikat e shitjes së derivateve, me qëllim të përcjelljes së çmimeve dhe sigurimit që uljet në tregjet globale të reflektohen edhe në tregun vendor.

Ministria bën të ditur se është në komunikim të përditshëm me Doganën e Kosovës, nga e cila pranon të dhëna zyrtare për çmimet e importit të derivateve. Këto informacione shërbejnë si bazë për analizimin dhe mbikëqyrjen e çmimeve të shitjes në vend.

Nga inspektimet e realizuara gjatë dy ditëve të fundit është vërejtur se rënia e çmimeve në tregjet globale ka filluar të reflektohet edhe në Kosovë.

Sipas të dhënave të publikuara nga MINTI, gjatë 24 orëve të fundit çmimi mesatar i naftës ka rënë nga 1.83 euro në 1.79 euro për litër, ndërsa çmimi mesatar i benzinës ka arritur në 1.43 euro për litër.

MINTI ka theksuar se do të vazhdojë monitorimin dhe inspektimet edhe në ditët në vijim, me fokus në mbrojtjen e konsumatorëve, transparencën e tregut dhe parandalimin e rritjeve apo devijimeve të pajustifikuara të çmimeve.

Institucioni synon që çdo ndryshim në çmimet e furnizimit të reflektohet në mënyrë të drejtë dhe në kohë edhe në çmimet për konsumatorët në Republikën e Kosovës.