‘Borxhi i keq’ i KESCO-s u ngarkua në tarifa ‘paushall’, dyshohet për dëm dhjetëra milionësh ndaj konsumatorëve

Për vite me radhë, ZRrE e kishte përfshirë në tarifa ‘borxhin e keq’ të KESCO-s, përmes një metode “paushall” dhe pa një klasifikim të vjetërsisë së borxhit. Gjetjet dalin nga dy raporte të auditimit. Dyshohet për dëm dhjetëra milionësh ndaj konsumatorëve.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) kishte zbatuar për vite të tëra metodë të gabuar për përcaktimin e “borxhit të keq” të KESCO-s, një kosto që u ngarkohet vit për vit konsumatorëve në tarifa. Përveç një vlerësimi ‘paushall’ dhe pa një klasifikim të vjetërsisë së borxhit, dy raporte të auditimit erdhën edhe te një gjetje e tretë, mjaft shqetësuese, raporton Buletini Ekonomik.

Edhe atëherë kur inkasimi i KESCO-s nga faturat ishte gati 100 për qind, vlerësimi për borxhin mbeti i njëjti ndër vite, në nivelin 4% në raport me të hyrat vjetore të kompanisë. Kjo metodë u aplikua që nga viti 2011, koha kur ishte privatizuar edhe Rrjeti i Shpërndarjes.

Nga kjo praktikë, që tashmë është kontestuar nga auditorët e shtetit, dyshohet se u shkaktua dëm dhjetëra miliona euro ndaj konsumatorëve të rrymës në Kosovë.

Njëri raport është i Zyrës Kombëtare të Auditimit i vitit 2019, dhe një tjetër i Kuvendit të Kosovës, në kuadër të një hetimi për sektorin e energjisë.

Gjetjet nga të dyja raportet çojnë të rezultate të njëjta dhe mjaft shqetësuese.

Përveç kontestimit të metodologjisë, auditorët e shtetit dhe ekspertët e energjisë të angazhuar në këtë proces, madje ngrehin dyshime edhe nëse ka qenë fare e arsysheme që borxhi i KESCO-s të ngarkohet në tarifa. E para, sepse konsumatorët nuk duhet të paguajnë për një gjë që është në përgjegjësi ekskluzive të kompanisë, siç është arkëtimi i borxheve, dhe e dyta, kjo, sipas auditorëve, e rritë rrezikun që kompania të mos i arkëtojë borxhet me qëllim.

“Borxh i keq” quhen faturat që KESCO nuk ka arritur t’i arkëtojë nga konsumatorët që nuk kanë paguar. Në vend që ta mbulojë vetë këtë humbje, kompania e përfshin në çmimin e energjisë, që paguhet nga të gjithë.