Prokuroria Speciale i ngriti aktakuzë, deklarohet zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, nën dyshimin e veprës penale “nxitje të urrejtës dhe mosdurimit” ndaj prokurorit Afrim Shefkiu dhe gjyqtarit Mentor Bajraktari.

Pas njoftimit nga prokuroria, Gazeta Insajderi ka kontaktuar zëdhënësin e VV-së, Arlind Manxhuka, për të kuptuar më shumë rreth rastit.

“Skam marrë njoftim unë asgjë”, i tha shkurt ai, Insajderit.

Aktakuza është dorëzuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, bëri të ditur prokuroria në një komunikatë për media.

Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër dy të pandehurve A.M dhe E.A është ngritur për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”.

“Gjithashtu, të pandehurit AM dhe E.A. duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social ‘’Facebook’’, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mos durim ndaj të dëmtuarve, prokurorit A.Sh dhe gjyqtarit M.B, lidhur me një vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit D.P”, tha Prokuroria Speciale.

Ndërkaq, aktakuzë për kanosje kundër gjyqtarit Bajraktari dhe prokurorit Shefkiu është ngritur ndaj dy personave tjerë me inicialet Q.E. dhe E.Z..

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.