AKP shiti 54 prona me negocim direkt në vitin 2025, çmimet nisën nga 4 euro për m²

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka realizuar gjatë vitit 2025 gjithsej 54 shitje të pronave përmes negocimit direkt, me një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 62 mijë e 934 metrash katrorë dhe vlerë totale afërsisht 2.15 milionë euro.

Sipas një hulumtimi të Gazetës Infokus, të bazuar në dokumente zyrtare të AKP-së, në disa raste prona janë shitur me vetëm 4 euro për metër katror, ndërsa në raste të tjera çmimi ka qenë rreth 6.40 euro për metër katror.

Një nga rastet e evidentuara është në zonën kadastrale Turiçec, ku një pronë me sipërfaqe prej rreth 1 mijë e 45 metrash katrorë është shitur për 4 mijë e 492 euro. Sipas përllogaritjes së publikuar, çmimi ka rezultuar në rreth 4 euro për metër katror.

Në një rast tjetër në Rakosh, 59.5 metra katrorë pronë janë shitur për gjithsej 238 euro, po ashtu me çmim prej 4 euro për metër katror.

Një nga transaksionet më të mëdha për nga sipërfaqja është regjistruar në Fushë Kosovë, ku 11 mijë e 825 metra katrorë pronë janë shitur për 75 mijë e 680 euro, ose rreth 6.40 euro për metër katror.

Çmime të ngjashme janë evidentuar edhe në dy shitje në Magurë të Obiliqit, të lidhura me pronat e ndërmarrjes “Miniera e Magnezit Golesh”, ku sipas dokumenteve janë shitur gjithsej 1 mijë e 746 metra katrorë për rreth 11 mijë e 174 euro.

Hulumtimi evidenton se nga 54 shitjet direkte, 24 raste kanë të bëjnë me toka, parcela apo pjesë ideale, 19 me prona rezidenciale, pesë me prona komerciale, tri me prona industriale dhe një me lokal afarist.

Gazeta Infokus raporton gjithashtu se 17 shitje lidhen me të njëjtin parcelim fillestar në Prishtinë, ndërsa tetë prej blerësve mbajnë të njëjtin mbiemër. Mediumi ka paralajmëruar se do të vazhdojë hulumtimin për këto transaksione dhe procedurat përkatëse.

Sipas Infokus, dokumentacioni është siguruar pas ankesës në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, pas vështirësive për qasje në dokumentet e AKP-së.