Festari po vjen! Festa që për 25 vite me radhë ka shoqëruar gjenerata të tëra të qytetarëve të Suharekës, duke u shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe tradicionale të komunës, këtë vit rikthehet në një edicion të veçantë – Festari Jubilar 2026.
Festari ka kaluar tashmë plot një çerek shekulli, duke përcjellë ndër vite historinë, kulturën, traditën, sportin, artin, rininë dhe jetën e qytetit. Shumë prej atyre që dikur e kanë përjetuar Festarin si fëmijë, sot janë vetë pjesë e organizimit dhe aktiviteteve të kësaj feste të madhe.
Edicioni jubilar do të sjellë një program të pasur me aktivitete për të gjitha moshat, nga fëmijët më të vegjël deri te të moshuarit, duke e kthyer Suharekën për disa ditë në një skenë të madhe të kulturës, artit dhe festës.
Festari 2026 nis më 14 shtator, me hapjen zyrtare në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyqi”, ku do të hapet ekspozita “Festari ndër vite”, ndërsa ceremonia do të shoqërohet edhe me një program artistik të udhëhequr nga prof. Shani Shala, si dhe ekspozitë nga prof. Refki Gollopeni.
Një vend të veçantë në këtë edicion jubilar do të ketë edhe Kolonia e Artit, e cila do të mbledhë artistë nga vende të ndryshme të botës, si dhe nga trojet shqiptare, duke i dhënë Festarit një dimension të veçantë ndërkombëtar dhe artistik.
Përgjatë ditëve të Festarit do të zhvillohen aktivitete të shumta, ndër të cilat Festari Humanitar, Festari Poetik, parakalimi i bujqëve, nxënësve, sportistëve dhe artistëve, si dhe ekspozimi i produkteve bujqësore të komunës, duke promovuar punën e fermerëve dhe begatinë që sjell toka e Suharekës.
Në kuadër të Festarit të Traditës do të rikthehen edhe revynë e rapsodëve dhe tradita e pasur e këngës folklorike, me pjesëmarrjen e këngëtarëve të folklorit shqiptar, ndërsa për të rinjtë dhe adhuruesit e muzikës moderne do të organizohet edhe Rock Festari, duke bashkuar traditën me muzikën bashkëkohore.
Nga 14 deri më 19 shtator, Suhareka do të jetë në festë.
Festari 2026 – 25 vite histori, 25 vite kulturë, 25 vite traditë, 25 vite bashkë!
Një festë që nuk është vetëm një ngjarje kulturore, por një pjesë e identitetit të Suharekës, një festë që lidh gjeneratat dhe sjell në një vend kujtimet, traditën, artin, sportin dhe energjinë e rinisë.




































Lini një Përgjigje