Kryetari Muharremaj dhe kabineti i ri qeverisës bëjnë homazhe në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Suharekë /

Kryetari i Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, së bashku me kabinetin e ri qeverisës, kanë bërë sot homazhe në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Suharekë.

Homazhet u realizuan pas emërimit të drejtorëve të drejtorive komunale, ku kryetari Muharremaj, i shoqëruar nga të gjithë drejtorët, nderoi me respekt të thellë sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë dhe të ardhmen e vendit.

Me këtë rast, kryetari Muharremaj theksoi se përkujtimi i dëshmorëve është një obligim i përhershëm institucional dhe moral, duke nënvizuar se ata nuk kursyen asgjë nga vetja, duke dhënë edhe më të shtrenjtën – jetën.

“Sot jemi këtu për të nderuar ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë. Ne kemi obligim që të punojmë fort, me përkushtim dhe transparencë të plotë, për një të ardhme më të mirë të qytetit tonë dhe të shtetit tonë, në shërbim të rinisë dhe të gjithë qytetarëve, pa dallim feje, race apo përkatësie politike,” ka deklaruar Muharremaj.

Homazhet u vlerësuan si një akt simbolik respekti dhe përkushtimi ndaj vlerave të lirisë dhe sakrificës, duke shënuar edhe fillimin e mandatit të ri qeverisës në Komunën e Suharekës.