PDK në Suharekë nominon Enver Hoxhajn dhe Arben Gegën si kandidatë për deputetë

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Suharekë ka zyrtarizuar sot nominimin e Dr. Enver Hoxhajt dhe Arben Gegës si kandidatë për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Dr. Enver Hoxhaj, një nga figurat më të njohura dhe me ndikim në skenën politike, njihet për kontributin e tij të madh në nivel kombëtar dhe për angazhimin e vazhdueshëm në Suharekë. Prania e tij e përhershme dhe roli i rëndësishëm në zhvillimin politik e shoqëror të qytetit e bëjnë një prej emrave më përfaqësues të PDK-së në këtë komunë.

Ndërkohë, Arben Gega, biznesmen i suksesshëm dhe i afërt me komunitetin, gëzon respekt të gjerë në Suharekë. Gega është njohur për qasjen e tij të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe për mbështetjen që ka dhënë në projekte të ndryshme lokale, duke fituar besimin e shumë banorëve.

Me këtë nominim, PDK-Suharekë synon të forcojë përfaqësimin dhe të paraqitet me një ekip të balancuar mes përvojës politike dhe energjisë së re që vjen nga sektori privat.