Miratohet Projekt, Rregullorja për bonuset e zonimit në Suharekë /

Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të Suharekës është miratuar Projekt-Rregullorja për bonuset e zonimit, një dokument i shumëpritur nga qytetarët dhe komuniteti ndërtimor.

Rregullorja u votua me mbështetjen e AAK-së, PDK-së dhe disa anëtarëve të LDK-së, duke dëshmuar se kur ekziston vullneti për zhvillim, gjithçka është e mundur.

Ky dokument i rëndësishëm do të mundësojë:

  • Zgjidhjen e problemeve me shpronësimet;
  • Hapjen e rrugëve të reja;
  • Koeficient më të lartë ndërtimi për ndërtuesit që kontribuojnë në infrastrukturën publike;
  • Një zhvillim më të shpejtë, të qëndrueshëm dhe të drejtë urbanistik për Suharekën.

Pas votimit, drejtori i Urbanizmit, Visar Kuqi, reagoi duke falënderuar të gjithë asamblistët që dhanë mbështetjen e tyre për këtë projekt të rëndësishëm. Ai theksoi se miratimi i kësaj rregulloreje është një hap i madh përpara për zhvillimin urban dhe ekonomik të qytetit, duke u shprehur se “ky dokument do të ndikojë drejtpërdrejt në krijimin e kushteve më të mira për qytetarët dhe ndërtuesit, si dhe në përmirësimin e infrastrukturës publike”.

Ky hap u vlerësua si një lajm i mirë për qytetarët, ndërmarrësit dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e këtij procesi.