Rriten aksidentet në Suharekë, Policia shton patrullat

Sot është zhvilluar takimi i radhës i Koordinimit Lokal për Siguri, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve komunale dhe organeve të rendit.

Nënkryetarja e Komunës së Suharekës, znj. Mihrije Suka, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe prezantoi aktivitetet e realizuara nga komuna në funksion të ofrimit të shërbimeve sa më efikase për qytetarët.

Përfaqësuesi i Stacionit Policor në Suharekë, z. Sami Veselaj, raportoi mbi gjendjen e sigurisë në komunë, duke bërë të ditur se situata mbetet e qetë dhe stabile.

Megjithatë, ai nënvizoi se është vërejtur një rritje e numrit të aksidenteve në trafik. Si masë parandaluese, policia ka shtuar patrullimet në terren dhe ka vënë në zbatim Planin Operativ për menaxhimin e sigurisë gjatë sezonit të diasporës.