Drejtoria Komunale e Arsimit në Suharekë, në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha shkollat e komunës dhe në koordinim me Divizionin për Vlerësime dhe Standarde në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ka përmbyllur me sukses të gjitha përgatitjet për mbajtjen e Testit të Arritshmërisë për vitin 2025.
Ky test i rëndësishëm, që shërben si indikator i njohurive të përfituara nga nxënësit në përfundim të arsimit të obligueshëm, do të mbahet në kushte të mirëorganizuara dhe sipas standardeve të përcaktuara nga MASHTI.
Në Komunën e Suharekës, numri i përgjithshëm i nxënësve që do t’i nënshtrohen këtij testi është 654. Ata janë shpërndarë në qendra të testimit të përcaktuara nga DKA, të cilat janë pajisur me të gjitha materialet e nevojshme dhe janë përgatitur për të garantuar një proces sa më të qetë dhe profesional.
Drejtori Remzi Bajselmani, ka theksuar se janë ndërmarrë të gjitha masat për të garantuar mbarëvajtjen e procesit, përfshirë trajnimin e administratorëve të testit dhe monitorimin nga afër të çdo qendre testimi, në mënyrë që të sigurohet integriteti dhe objektiviteti i plotë i vlerësimit.
Testi i Arritshmërisë vlerësohet si një hap i rëndësishëm në përgatitjen e nxënësve për shkollimin e mesëm dhe në krijimin e një baze të qartë për orientimin e tyre të mëtejmë akademik.






Lini një Përgjigje