Korniza Afatmesme Buxhetore nuk kalon në Kuvendin Komunal të Suharekës – opozita LVV-së, kritikon padrejtësitë në shpërndarjen e projekteve

Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB) nuk mori mbështetjen e nevojshme për të kaluar në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Suharekës. Nga gjithsej 30 anëtarë të pranishëm, 14 votuan pro dhe 16 kundër, duke bllokuar kështu miratimin e këtij dokumenti të rëndësishëm financiar.

Gjatë debatit parlamentar, përfaqësues të opozitës shprehën shqetësimet e tyre lidhur me përmbajtjen e KAB-së, duke e cilësuar si të padrejtë dhe të njëanshme në shpërndarjen e projekteve.

“Si çdo herë, edhe këtë herë Korniza Afatmesme Buxhetore vjen me shumë padrejtësi dhe parregullsi. Mbi 90% e projekteve janë të përqendruara aty ku kryetari ka pasur ose ka vota, ndërsa zonat tjera, ku nuk ka pasur dhe nuk ka as shpresë për t’i fituar, mbeten pa investime”, u shpreh njëri nga asamblistët kritikë Qendrim Elshani.

Po ashtu, u ngritën shqetësime për përsëritjen e projekteve të njëjta nga viti në vit, pa ndonjë arsyetim apo realizim konkret. “Pse po na vijnë projektet e njëjta çdo vit? Kjo për mua është ose keqmenaxhim, ose keqpërdorim. Presim që ekzekutivi të japë shpjegime të qarta”, u theksua më tej në seancë.

Refuzimi i miratimit të KAB-së tregon për ndasi të theksuara politike në kuvend dhe sfida në bashkëpunimin ndërmjet pushtetit lokal dhe opozitës.