Takim i Kryetarit të Komunës me Kryetarët e Fshatrave në Suharekë

Në sallën e vjetër të Asamblesë Komunale në Suharekë është mbajtur sot një takim mes Kryetarit të Komunës, z. Bali Muharremaj, dhe kryetarëve të fshatrave të komunës.

Në këtë takim morën pjesë edhe drejtorë të drejtorive komunale, përfshirë Drejtorin e Shërbimeve Publike, z. Enver Shabanaj, si dhe drejtues të tjerë institucionalë.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi rreth mundësisë së përfshirjes së projekteve të propozuara nga kryetarët e fshatrave në Kornizën Afatmesme Buxhetore 2026–2028. Projektet e propozuara kishin të bënin kryesisht me infrastrukturën, kulturën dhe sportin nëpër vendbanimet përkatëse.

Kryetari Muharremaj inkurajoi të gjithë kryetarët që të paraqesin idetë dhe nevojat e komuniteteve që përfaqësojnë edhe për Kornizën Afatshkurtër Buxhetore 2025–2026. Ai theksoi se të gjitha projektet do të vlerësohen me kujdes dhe do të harmonizohen sipas mundësive buxhetore të komunës.

Kryetarët e fshatrave falënderuan Komunën e Suharekës dhe veçanërisht kryetarin Muharremaj për mbështetjen e vazhdueshme dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të projekteve lokale.