Sot, në orën 12:00, në fshatin Mushtisht u përurua Shtëpia e Kulturës “Afërdita”, një ngjarje e shumëpritur që mblodhi personalitete të shumta nga politika, arti, muzika dhe kultura shqiptare.
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe emra të njohur të muzikës shqiptare, të njohura ndryshe si “bilbilat e Kosovës”: Shkurte Fejza, Shyhrete Behluli dhe Remzie Osmani, të shoqëruara nga artistë të tjerë të shquar, si dhe nga themelues dhe udhëheqës të Shoqërisë Kulturo-Artistike “Afërdita”, e cila kishte vepruar deri në vitet ’90.
Shiritin e përurimit e prenë kryetari i Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, së bashku me këngëtaret Shkurte Fejza, Shyhrete Behluli dhe Remzie Osmani. Takimi i dy këngëtareve të para, pas një kohe të gjatë, u komentua edhe si sinjal i përmirësimit të raporteve mes tyre – një zhvillim që mbetet të shihet në vazhdim.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Muharremaj theksoi rëndësinë që ka pasur kjo shtëpi kulture për Mushtishtin, duke përmendur se pikërisht aty lindën talente të mëdha të muzikës, përfshirë edhe bilbilat e Mushtishtit. Ai gjithashtu kujtoi me respekt profesorin tashmë të ndjerë të muzikës, Ibrahim Hamiti, i cili kontribuoi me përkushtim për dekada në Shoqërinë “Afërdita”.
Ndërkohë, kryetari i fshatit Mushtisht, z. Reshta Selimi, falënderoi Komunën e Suharekës dhe kryetarin Muharremaj për këtë investim të veçantë, duke e cilësuar si një ndër më të rëndësishmit për fshatin. Ai u shpreh optimist për mundësinë e riaktivizimit të Shoqërisë Kulturo-Artistike “Afërdita”, në mënyrë që traditat e këngës dhe valles të rikthehen në Mushtisht. Po ashtu, ai shprehu mirënjohje edhe për donatorët që kontribuan në realizimin e këtij projekti.
Vlen të përmendet se sot në Mushtisht është shënuar edhe Dita e Shkollës “Edit Durham”, shkollë e nivelit fillor të mesëm të ulët.





Lini një Përgjigje