Shoqata Bjeshkatare Alpiniste “Maja e Bajrakut” realizon ngjitjen e parë që nga themelimi

Më 18 maj 2025, Shoqata Bjeshkatare Alpiniste “Maja e Bajrakut” ka realizuar me sukses ngjitjen e saj të parë, që nga themelimi. Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë mbi 80 alpinistë nga Suhareka dhe rrethina.

Destinacioni i ngjitjes ishte pikërisht Maja e Bajrakut në Suharekë, vendi që i ka dhënë emrin vetë shoqatës. Atmosfera ishte mbresëlënëse – moti ideal, entuziazmi i pjesëmarrësve dhe bukuritë natyrore i dhanë ngjitjes një karakter të veçantë.

Në njoftimin zyrtar të shpërndarë nga faqja e Shoqatës thuhet:

“Fillim i ri, fillim i mbarë. Një ditë e veçantë për shoqatën tonë.
Numri i madh i pjesëmarrësve (mbi 85), të cilët u mblodhën para restorant ‘Gështenja’, ishte një surprizë e këndshme për ne, që me javë të tëra ishim përgatitur për këtë aktivitet.
Nga më të vegjlit si Troja 9-vjeçare, e deri te Samiri, Naimi e Shkelzimi – të cilët, pavarësisht vështirësive apo mbipeshës, arritën të ngjiten deri në majë – të gjithë kontribuuan në një ditë të paharrueshme.
Pas një ecjeje prej rreth 22 kilometrash, të gjithë u kthyen të sigurt dhe pa asnjë lëndim apo problem shëndetësor.
Kjo për ne, drejtuesit e shoqatës dhe të këtij aktiviteti, ishte kulmi i kënaqësisë – dhe besoj se edhe për pjesëmarrësit mbeti një përvojë e paharrueshme.
I falënderojmë nga zemra të gjithë pjesëmarrësit që me praninë e tyre e bënë edhe më madhështor këtë fillim!
Ju urojmë shëndet dhe sa më shumë ecje e ngjitje të suksesshme në të ardhmen!”

Kjo ngjitje shënon një hap të rëndësishëm për shoqatën, duke hapur një kapitull të ri në promovimin e aktiviteteve malore dhe të turizmit natyror në rajonin e Suharekës.