Qendra e Mjekësisë Familjare në Suharekë organizon aktivitete për nder të Ditës së Mjekut Familjar

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mjekut Familjar, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Rexhep Kuçi” në Suharekë ka organizuar një sërë aktivitetesh informuese dhe ndërgjegjësuese në qytet dhe në shkollat lokale.

Aktivitetet u zhvilluan në sheshin para Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyqi”, ku qytetarëve iu shpërndanë fletushka me këshilla shëndetësore dhe u ofruan matje të tensionit arterial, si dhe konsultime për çështje të ndryshme shëndetësore. Në të njëjtën kohë, në disa shkolla të qytetit u mbajtën ligjërata me qëllim edukimin e nxënësve për rëndësinë e kujdesit shëndetësor dhe rolin thelbësor që ka mjeku familjar në shëndetin e komunitetit.

Në sallën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare u shfaq edhe një dokumentar me titullin: “Një vit përkushtimi dhe sakrifice – Vlerësim për mjekët dhe infermierët”, i cili reflektoi punën dhe përkushtimin e stafit shëndetësor gjatë vitit. Në këtë aktivitet morën pjesë mjekë, infermierë dhe të ftuar të tjerë.

Qendra e Mjekësisë Familjare në Suharekë falënderon qytetarët për pjesëmarrjen dhe kontributin e dhënë në këtë ditë të veçantë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes komunitetit dhe profesionistëve shëndetësorë për një shoqëri më të shëndetshme.