Shkolla e basketbollit Theranda Basket është shpallur kampione në kategorinë U16 për sezonin 2024/2025, duke kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm me përkushtim dhe suksese.
Të shtunën, në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, u zhvillua ndeshja finale mes Theranda Basket dhe Proton Cable Prizreni, ku skuadra vendase triumfoi me rezultat të ngushtë 74-69, në një përballje plot emocione dhe rivalitet sportiv.
Ky sukses është rezultat i punës së palodhshme të trajnerit Hasan Bytyqi, me ndihmën e asistentëve Destan Sedolli dhe Lirian Bytyqi, si dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm të lojtarëve të rinj. Po ashtu, një rol të rëndësishëm ka luajtur mbështetja e vazhdueshme nga prindërit dhe tifozët e klubit.
Pas ndeshjes, trajneri Bytyqi, në një prononcim për Radio Vala, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij, pavarësisht sfidave që hasën gjatë fazës përgatitore. Ai theksoi se njëri nga lojtarët kryesorë pësoi një lëndim të rëndë gjatë stërvitjeve, ndërsa edhe dy të tjerë kishin lëndime më të lehta. Megjithatë, përkushtimi dhe bashkëpunimi në skuadër bënë që kjo fitore të ishte e merituar.
“Kjo fitore i dedikohet të gjithë lojtarëve, të cilët kanë punuar pa u lodhur drejt këtij trofeu. Kjo nuk është hera e parë që shkolla jonë arrin sukses – kemi histori dhe traditë në arritjen e rezultateve të tilla,” theksoi trajneri Bytyqi.
Urime për titullin kampion!
Theranda Basket dëshmon edhe një herë se talenti, disiplina dhe puna ekipore janë çelës i suksesit. Urojmë suksese të mëtejshme në garat e ardhshme – e ardhmja duket shumë premtuese për këtë ekip të ri e të motivuar!
Lini një Përgjigje