Anëtarët e Qendrës HENDIKOS në Suharekë mbjellin lule në ambientet e jashtme të qendrës

Qendra HENDIKOS në Suharekë ka organizuar sot një aktivitet pranveror me pjesëmarrjen aktive të anëtarëve të saj, duke mbjellë lule në oborrin dhe ambientet përreth qendrës. Ky aktivitet është zhvilluar me mbështetjen e Komunës së Suharekës dhe donatorit Fidanishtja “SHALA”.

Në postimin e bërë në faqen zyrtare të Qendrës HENDIKOS thuhet:

“Në kuadër të krijimit të një mjedisi të gjallë, të pastër dhe mikpritës, u organizua një aktivitet i veçantë pranveror – mbjellja e luleve në ambientet e jashtme të qendrës, bashkë me anëtarët tanë. Ky aktivitet kishte për qëllim jo vetëm zbukurimin e hapësirës, por edhe nxitjen e bashkëpunimit, përfshirjes sociale dhe ndërgjegjësimit për rëndësinë e kujdesit ndaj mjedisit.”

Qendra ka falënderuar në mënyrë të veçantë Fidanishten “SHALA” për dhurimin e luleve, duke theksuar se ky gjest ka kontribuar në krijimin e një ambienti më të bukur dhe më të ngrohtë për të gjithë.