Në ambientet e shkollës fillore “Kongresi i Manastirit” në fshatin Studençan të Komunës së Suharekës, u mbajt ceremonia promovuese e librit “Studençani nëpër sfidat e historisë”, me autor profesor Mehdi Përzhaku.
Në këtë ngjarje kulturore morën pjesë shkrimtarë nga trevat shqiptare, mysafirë të shumtë si dhe bashkëvendës të autorit nga Studençani. Libri, i cili vjen me nëntitullin “Terror e rezistencë në trojet shqiptare”, paraqet një kontribut të çmuar për dokumentimin e historisë dhe kulturës së këtij vendbanimi të lashtë.
Në fjalën e tij, redaktori dhe recensenti i veprës theksoi rëndësinë e këtij botimi duke e cilësuar si një moment të veçantë për kulturën dhe historinë tonë të përbashkët. “Ky libër është rezultat i një pune shumëvjeçare dhe përkushtimi të palodhshëm nga autori Mehdi Përzhaku. Ai paraqet një pasqyrë të thellë e gjithëpërfshirëse të historisë së Studençanit – që nga periudhat antike, sundimi bizantin, ardhja e sllavëve, periudha osmane, Luftërat Botërore, e deri te lufta e fundit për liri dhe pavarësi”, u shpreh ai.
Në libër, autori sjell me kujdes të veçantë rrëfime, dokumente dhe fakte historike që ndriçojnë të vërtetat e periudhave më të vështira, duke theksuar kontributin e burrave dhe grave të këtij fshati në rezistencën për mbijetesë dhe liri.
Promovimin e librit e përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, i cili vlerësoi lart punën e autorit duke thënë: “Profesori Mehdi Përzhaku, një nga figurat më të njohura arsimore në komunën tonë, ka bërë një punë të jashtëzakonshme në përmbledhjen dhe dokumentimin e sfidave dhe historisë së fshatit Studençan. Nevojiten libra të tillë për çdo vendbanim të komunës sonë, dhe kjo vepër duhet të shërbejë si frymëzim për të rinjtë që të mësojnë për të kaluarën dhe të kujdesen për trashëgiminë tonë kulturore.”
Në fund, autori Mehdi Përzhaku falënderoi të gjithë të pranishmit dhe ata që kontribuan në realizimin e kësaj vepre, duke theksuar se ky libër është një dhuratë për të gjithë qytetarët e Suharekës dhe për brezat që do të vijnë.




Lini një Përgjigje