Sot, në Qendrën e Rinisë “Shtëpia e Fellbahut” në Suharekë, është mbajtur takimi themelues i Shoqatës së Bjeshkatarëve “Maja e Bajrakut”, një nismë që kishte nisur shumë vite më parë, por që tashmë po konkretizohet me themelimin zyrtar të saj.
Qëllimi kryesor i kësaj shoqate është promovimi i maleve dhe bjeshkëve të Komunës së Suharekës, si dhe nxitja e turizmit malor. Emri i shoqatës – Maja e Bajrakut – simbolizon këtë synim, pasi është maja më e lartë në territorin e kësaj komune.
Në hapje të këtij aktiviteti, z. Liman Bytyqi shpalosi vizionin dhe objektivat e shoqatës, duke theksuar rëndësinë e promovimit të natyrës dhe bjeshkëve të Suharekës si një pasuri që duhet ruajtur dhe zhvilluar.
Një ndër anëtarët themelues, z. Ibish Ahmeti, potencoi se kjo nismë do të ndihmojë qytetarët të shkëputen paksa nga rutina e përditshme urbane dhe do të kontribuojë pozitivisht në shëndetin fizik dhe mendor të pjesëmarrësve. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e lidhjes së njeriut me natyrën dhe faunën.
Takimin e përshëndeti edhe nënkryetarja e Komunës së Suharekës, znj. Mihrije Suka, e cila u shpreh se themelimi i kësaj shoqate është një vlerë e shtuar për të gjithë adhuruesit e natyrës dhe turizmit malor. Ajo premtoi mbështetje institucionale për këtë iniciativë nga ana e komunës.
Gjithashtu, në emër të Drejtorisë së Kulturës, fjalën e saj e pati drejtoresha Albulena Kokollari, e cila inkurajoi themeluesit që të aplikojnë në thirrjet publike për projekte kulturore dhe rekreative, duke theksuar se do të jetë edhe vetë anëtare e kësaj shoqate.
Bordi themelues i Shoqatës përbëhet nga:
Ibish Ahmeti, Liman Bytyqi, Ola Bungu, Ismet Ahmeti, Beni Kuqi, Ahmet Momaj, Drenojeta Berisha, Faton Morina dhe Mentor Kabashi.
Në takim u prezantua edhe logoja zyrtare e shoqatës, ndërsa u bë e ditur se ecja e parë simbolike do të mbahet më 18 maj, drejt Majës së Bajrakut, me nisje nga “Shtëpia e Fellbahut”.





Lini një Përgjigje