Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas publikimit të Indeksit të Lirisë së Mediave, i cili tregon se Kosova ka rënë për 24 vende.
Duke i konsideruar të drejtat shqetësimet për këtë regres të Kosovës, Mustafa ka vlerësuar se edhe media e kanë një pjesë të fajit për ardhjen në pushtet të VV-së.
Në profilin e tij në “Facebook”, ish-kryetari i LDK-së ka shkruar se përkrahje e disa mediave ndaj VV-së në zgjedhjet e vitit 2021 ka qenë jashtë çdo kriteri etik dhe profesional.
“I konsideroj të drejta reagimet me brengosjen lidhur me rënien e indeksit të lirisë së mediave për 24 vende (nga vendi 75 në atë 99), të cilat i adresohen Qeverisë Kurti e cila, dorën në zemër, nuk do të vinte në pushtet pa përkrahjen dhe lobimin e shumë mediave, herë herë jashtë çdo kriteri etik dhe profesional. Qytetarët votuan, për perceptimin që ua plasuan dhe krijuan mediat. Jo për rezultatet, sepse ata që fituan mbi 50 për qind të votave e që akoma janë në pushtet, s’kishin ndërtuar asnjë fabrikë, asnjë rrugë, asnjë shkollë, s’kishin sjellë asnjë njohje ndërkombëtare, s’e kishin çliruar Kosovën as me luftë e as me politikë paqësore, veçse kishin ushtruar kundërshtime me dhunë”, ka shkruar Mustafa.
Lini një Përgjigje