Tashmë ka dy javë që Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka konfirmuar takimin me 14 shtator mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel
Në anën tjetër, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se është duke punuar drejt “rezultateve pozitive” në procesin e dialogut.
Lajçak të dielën përmes një postimi në Facebook tha se se java e kaluar ishte e mbushur me punë përgatitore mbi takimin në Bruksel, ku do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Përgatitjet për takimin e dialogut të nivelit të lartë më 14 shtator janë me shpejtësi të plotë dhe ne po punojmë drejt rezultateve pozitive”, shkroi ai.
E para takimit të 14 shtatorit, opozita i kishte kërkuar Kryeministrit që të raportonte në Kuvend. Ata madje janë shprehur se nuk presin rezultate konkrete nga ky takim.
Shefi i GP-së të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se nuk pret asnjë dakordim duke qenë se Kosova është edhe e sansksionuar nga BE-ja.
“Nuk pres asnjë dakordim dhe nuk pres asnjë ecje tutje për shkak se dinamikat të cilat i ka sot Kosova janë tepër problematike. Kosova është nën sanksione, Kosova është e sanksionuar nga Bashkimi Evropian dhe nuk pres ndonjë çështje e cila e ndihmon forcimin e Kosovës në rrafshin e brendshëm dhe po ashtu të jashtëm”, tha Besnik Tahiri shef i GP të AAK-së.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se ky takim s’do duhej të mbahej fare pa u zbatuar marrëveshjet që janë arritur deri tani.
“Unë pres nga kryeministri Kurti të vije dhe të raportojë në Kuvendin e Kosovës, para takimit me Vuçiqin dhe është mirë që të mos mbajë takime të tjera se duhet të zbatohen marrëveshjet të cilat i ka bërë Kurti, si ajo e Ohrit, si ajo e Bratislavës”.“Nga ky takim nuk pres diçka të re për arsye se të gjitha marrëveshjet që janë bërë në kohën e tij ende nuk janë zbatuar. Është marrëveshja për energjinë, është marrëveshja për të pagjeturit ku deri më tash keni parë që nuk ka ndodhur asgjë”, tha ajo.
Për takimin e 14 shtatorit, foli në selinë e NATO-s, edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Osmani ka thënë se ka një listë të gjatë të marrëveshjeve që Serbia s’i ka implementuar, ndërsa ka shtuar se shpresat e Kosovës janë që tani të ketë një qasje të barabartë nga Bashkimi Evropian, meqë një qasje e tillë është parakusht për suksesin e dialogut.
Presidentja e Kosovës ka thënë se ka pasur momente kur nuk ka pasur qasje të barabartë dhe ka thënë se iu bën thirrje aleatëve që të sigurojnë balancë në proces në mënyrë që të ketë rezultate të qëdndrueshme që kontribuojnë në stabilitetin e rajonit.
“Takimi i radhës do të ndodh më 14 shtator. Fatkeqësisht lista e marrëveshjeve të paimplementuara nga Serbia është shumë e gjatë. Shpresat tona janë tani që do të ketë një qasje të barabartë. Një qasje e barabartë nga BE është parakusht për suksesin e procesit. Ka pasur kohë që s’e kemi parë këtë balancë, prandaj iu bëj thirrje aleatëve që të sigurojnë këtë balancë, nëse duam të shohim rezultate të qëndrueshme që kontribuojnë në stabilitetin e regjionit”, ka thënë presidentja Osmani.
Për takimin në Bruksel foli dje edhe amabasdaori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde i cili tha se ky takim vjen në një moment kritik.
Rohde ka thënë se është e nevojshme që të dyja palët të angazhohen në deeskalimin e situatës në veri.
Tutje ai në një postim në plaftormën “X” ka shkruar se Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet tani, dhe se s’ka më me lojëra faji, pasi është koha për të vepruar për të mirën e të gjithëve.
“Takimi i nivelit të lartë më 14 shtator vjen në një moment kritik. Ne kemi nevojë për angazhimin e plotë të të dyja palëve për de-përshkallëzimin, dialogun e ndërmjetësuar nga dhe demokracinë pjesëmarrëse. Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet TANI. Nuk ka më lojëra faji. Hiqni pengesat për përparim. Koha për të vepruar për të mirën e të gjithëve”, tha ambasadori gjerman.
Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiq u takuan me 2 maj për herë të fundit, disa ditë pas zgjedhjeve në katër komunat veriore të cilat u bojkotuan nga serbët lokalë.
Lini një Përgjigje