Suharekë: Shënohet Dita Botërore e Diabetit me aktivitete vetëdijesuese dhe kontrolle shëndetësore

Me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, në Suharekë janë organizuar disa aktivitete vetëdijesuese dhe informuese, me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve për rëndësinë e parandalimit dhe menaxhimit të kësaj sëmundjeje.

Gjatë ditës janë realizuar tri aktivitete të rëndësishme në komunitet.

Në SHFMU “Destan Bajraktari” është mbajtur një ligjëratë me nxënësit e klasave të nënta, ku është diskutuar për diabetin, rëndësinë e një stili të shëndetshëm jetese dhe mënyrat e parandalimit të kësaj sëmundjeje.

Ndërkaq, në sheshin “Fadil Vata” janë shpërndarë fletushka informuese për qytetarët, me këshilla dhe informacione rreth diabetit.

Aktivitetet kanë vazhduar edhe në Qëndrimin Ditor të të Moshuarve, ku për pensionistët janë realizuar matjet e nivelit të glikemisë dhe tensionit arterial.

Përmes këtyre aktiviteteve është synuar të theksohet rëndësia e informimit, kontrolleve të rregullta shëndetësore dhe kujdesit për një jetë më të shëndetshme.

Mesazhi i kësaj dite mbetet i qartë: Kujdesi për shëndetin fillon me vetëdijesimin, ndërsa parandalimi mund të bëjë ndryshimin!