Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Suharekë ka reaguar ndaj disa deklaratave të bëra në një studio televizive lidhur me ngjarjen tragjike të vrasjes së ish-kryetarit të Komunës së Suharekës, Ukë Bytyçi.
Përmes një reagimi publik, LDK në Suharekë i ka cilësuar këto deklarata si të papranueshme, të pabazuara në fakte dhe si shtrembërim të realitetit rreth një ngjarjeje të ndjeshme për qytetarët e komunës.
Në reagim theksohet se Ukë Bytyçi kishte dhënë kontribut të rëndësishëm në proceset e shtetndërtimit dhe në ditët më të vështira për vendin iu ishte bashkuar luftës çlirimtare. Ai përshkruhet si një personalitet human, i cili gëzonte mbështetje të gjerë nga qytetarët e Therandës.
LDK vlerëson se rikthimi i kësaj teme pas shumë vitesh, përmes deklaratave që i konsideron të pavërteta, është i papranueshëm dhe mund të krijojë huti në opinionin publik.
Në fund të reagimit, Dega e LDK-së në Suharekë u ka bërë thirrje të gjithëve për maturi dhe përgjegjësi në deklarimet publike, duke theksuar se çështje të tilla tejkalojnë kufijtë e ballafaqimeve të politikës së përditshme dhe kërkojnë kujdes e respekt ndaj qytetarëve dhe historisë së komunës.














Lini një Përgjigje