Golden Eagle Ylli triumfon bindshëm ndaj Bashkimit, fiton me rezultat 105:86

Golden Eagle Ylli ka shënuar një fitore bindëse ndaj Bashkimit të Prizrenit, duke triumfuar me rezultat të thellë 105:86, në ndeshjen e zhvilluar në palestrën sportive “13 Qershori” në Suharekë.

akimi, i cili nisi në orën 17:00, u karakterizua me dominim të skuadrës vendase, e cila arriti të udhëheqë me epërsi të konsiderueshme gjatë të gjitha periudhave të ndeshjes.

Basketbollistët e Yllit treguan lojë të organizuar dhe efikasitet të lartë në sulm, duke mos i lënë shumë hapësirë skuadrës prizrenase për të rikthyer rezultatin.

Në këtë përballje, tre basketbollistë të Yllit, Mala, Thomas dhe Withers, u veçuan me paraqitjet e tyre, duke u vlerësuar si lojtarët më të dalluar të ndeshjes (MVP).

Përveç spektaklit sportiv, kjo ndeshje u shoqërua edhe me një moment të veçantë mirënjohjeje. Klubi Golden Eagle Ylli ndau mirënjohje për Dr. Agron Mahmutin, në shenjë falënderimi për profesionalizmin, përkushtimin dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj shëndetit të sportistëve të klubit.

Përmes këtij gjesti, klubi vlerësoi kontributin dhe bashkëpunimin e tij në mbështetje të sportistëve.

Me këtë fitore bindëse, Golden Eagle Ylli vazhdon të dëshmojë forcën e tij në parketin vendas, duke gëzuar edhe përkrahjen e tifozëve suharekas.