Suharekë: 11-vjeçarja bie nga furgoni në Reqan, gjendja e saj e rëndë dhe shoferi ndalohet nga Policia

Një vajzë 11-vjeçare nga Suhareka ka pësuar lëndime të rënda trupore, të cilat i kanë rrezikuar jetën, pasi ka rënë nga pjesa e pasme e një furgoni në lëvizje, në fshatin Reqan të Suharekës.

Ngjarja ka ndodhur të mërkurën, më 11 nëntor, rreth orës 14:00. Sipas raportimeve të Gazetës Sinjali, e mitura po udhëtonte në hapësirën e pasme të automjetit, e cila është e destinuar për transportimin e mallrave.

Sipas informacioneve të publikuara, në furgonin e tipit Volkswagen Caddy ndodheshin dy vajza të mitura. Gjatë një manovre për kthim gjysmërrethor të automjetit, 11-vjeçarja dyshohet se ka rënë në asfalt, duke pësuar lëndime të rënda.

Pas incidentit, drejtuesi i automjetit e ka dërguar vajzën pranë shtëpisë së saj, ndërsa më pas familjarët e kanë transportuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë, ku i është ofruar ndihma e parë.

Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, e mitura është dërguar në Emergjencën e Prizrenit dhe më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

Rasti është cilësuar si aksident trafiku me lëndime të rënda, përkatësisht “Rrezikim i trafikut publik”. Pas konsultimit me Prokurorinë, drejtuesi i furgonit, rreth 56-vjeçar, është ndaluar me vendim të Prokurorisë.

Rrethanat e plota të këtij rasti mbeten nën hetim nga organet kompetente.