Suharekë: Ambasadori gjerman Rainer Rudolph viziton kompaninë “Graniti”, diskutohen mundësitë e bashkëpunimit dhe zhvillimit

Kompania “Graniti”, me seli në Suharekë, ka mirëpritur në një vizitë ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Shkëlqesinë e Tij, z. Rainer Rudolph.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e kompanisë e njoftuan ambasadorin me historikun dhe zhvillimin e “Granitit”, arritjet e deritanishme, si dhe planet dhe synimet për të ardhmen.

Në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese, u diskutua edhe për sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballet kompania në veprimtarinë e saj.

Sipas përfaqësuesve të “Granitit”, ambasadori Rudolph dëgjoi me vëmendje shqetësimet e paraqitura dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur kompaninë në zhvillimin e kapaciteteve prodhuese, si dhe në krijimin e mundësive për qasje dhe zgjerim në tregjet e Bashkimit Evropian.

Nga kompania “Graniti” e kanë falënderuar ambasadorin Rainer Rudolph për vizitën, kohën e kushtuar dhe gatishmërinë e shprehur për të mbështetur zhvillimin dhe avancimin e mëtejshëm të kompanisë.