Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së – Nëndega në Mushtisht ka reaguar ashpër pas heqjes, hedhjes dhe dëmtimit të një tabele rrugore që mbante emrat e dy dëshmorëve të kombit.

Në reagimin publik, kjo organizatë e ka cilësuar veprimin si të turpshëm dhe të papranueshëm, duke theksuar se dëmtimi i tabelës përbën mungesë respekti ndaj sakrificës së dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e vendit.
Sipas OVL-UÇK-së në Mushtisht, dyshohet se këtë veprim e ka kryer një individ privat, qytetar i fshatit, ndërsa është bërë e qartë se rasti nuk ka të bëjë me ndonjë kompani punëkryese.
Përmes këtij reagimi, OVL-UÇK – Nëndega Mushtisht i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin e personave përgjegjës dhe marrjen e masave ligjore.
Po ashtu, organizata ka kërkuar nga Kryesia e Fshatit Mushtisht që të angazhohet për zbardhjen e rastit dhe rikthimin e tabelës në vendin e saj.
Në reagim theksohet se emrat e dëshmorëve janë pjesë e historisë, kujtesës dhe krenarisë kombëtare, ndërsa respektimi i tyre është obligim moral dhe institucional.
“Emrat e dëshmorëve nuk hiqen, nuk hidhen dhe nuk harrohen!”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së – Nëndega Mushtisht.
Organizata e ka përmbyllur reagimin me thirrjen: “Lavdi e përjetshme Dëshmorëve të Kombit!”














Lini një Përgjigje