Sa kushton një i burgosur në Kosovë? Shteti shpenzon rreth 58 mijë euro në ditë për të burgosurit

Në burgjet e Kosovës aktualisht ndodhen 1 mijë e 778 persona të privuar nga liria. Për secilin prej tyre, shteti shpenzon mesatarisht 33 euro në ditë, ndërsa kostoja e përgjithshme ditore arrin në 58 mijë e 674 euro.

Vjedhjet, vrasjet, kanosjet, sulmet, të shtënat me armë zjarri, dhuna në familje dhe veprat e tjera penale janë disa nga arsyet që mijëra qytetarë përfundojnë në institucionet korrektuese të Kosovës.

Për kujdesin dhe administrimin e këtyre institucioneve është përgjegjës Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), i cili përfshin gjithsej 11 institucione, përfshirë qendra korrektuese, qendra edukative-korrektuese, qendra të paraburgimit dhe Burgun e Sigurisë së Lartë.

Sistemi korrektues në Kosovë ka rreth 1 mijë e 600 zyrtarë korrektues, të cilët kujdesen për sigurinë, administrimin dhe mbarëvajtjen e institucioneve.

1,778 persona të burgosur në Kosovë

Sipas të dhënave të Shërbimit Korrektues të Kosovës, në institucionet korrektuese aktualisht ndodhen 1 mijë e 778 persona të privuar nga liria.

Për secilin prej tyre, shteti duhet të sigurojë akomodimin, ushqimin, higjienën personale dhe shërbimet e tjera të nevojshme gjatë qëndrimit në burg.

Sipas informacioneve të publikuara nga organizatat monitoruese, të burgosurit kanë tri shujta ushqimore në ditë, ndërsa menyja javore përfshin mish, perime, fruta dhe pije të ndryshme.

Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë bërë të ditur për lajmi.net se shpenzimet ditore për një person të burgosur janë afërsisht 33 euro.

Kjo do të thotë se për 1 mijë e 778 persona, buxheti i shtetit shpenzon rreth 58 mijë e 674 euro në ditë.

Sa ndryshon numri i të burgosurve?

Numri i personave të privuar nga liria në Kosovë ndryshon vazhdimisht, varësisht nga rastet penale, vendimet gjyqësore, përfundimi i dënimeve dhe faljet presidenciale.

Gjatë vitit 2025, numri i përgjithshëm i personave të privuar nga liria ishte mesatarisht ndërmjet 1 mijë e 700 dhe 1 mijë e 800.

Sipas të dhënave të përmendura, rreth 1 mijë e 100 persona ishin duke vuajtur dënimet e tyre, ndërsa 600 deri në 700 të tjerë ndodheshin në paraburgim, në pritje të përfundimit të procedurave gjyqësore.

300 të burgosur danezë pritet të transferohen në Gjilan në vitin 2027

Një zhvillim i rëndësishëm për sistemin korrektues të Kosovës është edhe marrëveshja me Danimarkën, e cila parasheh transferimin e deri në 300 të burgosurve danezë në Qendrën Korrektuese në Gjilan.

Marrëveshja është arritur në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve dhe synon të ndihmojë Danimarkën në përballjen me mungesën e hapësirave dhe personelit në burgjet e saj.

Sipas kushteve të marrëveshjes, ajo përfshin të burgosur me dënime deri në 10 vjet, me përjashtim të personave të dënuar për vepra terroriste dhe atyre me probleme të caktuara të shëndetit mendor.

Qendra Korrektuese në Gjilan është përzgjedhur për këtë qëllim, ndërsa objekti duhet t’u nënshtrohet renovimeve dhe përshtatjeve për të funksionuar sipas standardeve dhe rregullave daneze.

Sipas Shërbimit Danez të Burgjeve, punimet përfshijnë edhe ndërtimin e ambienteve të reja për punësim dhe hapësirave për vizitorë. Transferimi i të burgosurve të parë danezë pritet të bëhet gjatë gjysmës së parë të vitit 2027.

Kontrabanda, sfidë për institucionet korrektuese

Përveç administrimit dhe sigurisë, një nga sfidat me të cilat vazhdon të përballet sistemi korrektues në Kosovë është edhe kontrabanda brenda burgjeve.

Pavarësisht kontrolleve dhe masave të sigurisë, në institucione të ndryshme korrektuese vazhdojnë të paraqiten raste të tentimit për futjen e sendeve të ndaluara, si telefona celularë dhe substanca narkotike.

Këto raste mbeten sfidë për autoritetet përgjegjëse, të cilat duhet të garantojnë sigurinë dhe funksionimin e rregullt të institucioneve korrektuese.